Policia ka publikuar pamjet e momenti të ndërhyrjes së forcave RENEA për lirimin e dy fëmijëve të mitur që mbaheshin peng nga babai, në banesën e këtij të fundit, në Durrës.
Policia e Durrësit pasi është njoftuar nga banorët e pallatit se dëgjuan të shtëna me armë zjarri, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi Aleks Marku 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.
Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.
Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.
Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e Markut të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.
Gjithashtu, Policia nxori të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.
Nga deklarimet e para të 40-vjeçarit Aleks Marku pas arrestimit nga policia rezulton se ndjehej nën kërcënim dhe i kishte marrë peng fëmijët për t’i mbrojtur.