Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani ka shprehur shqetësimin se zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit janë bërë pjesë dhe bashkëpunojnë me grupet kriminale.
Duke raportuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe Sigurisë për raportin vjetor të SPAK, Dumani vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, por theksoi se ka një pakicë të inkriminuar brenda tyre.
“Duhet ta them, është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes shumicës absolute të Policisë së Shtetit të cilët janë të dedikuar me mish e me shpirt janë të angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dua të distancoj këtë pjesë nga një pakicë e inkriminuar. Në shumë nga hetimet tona të suksesshme një rol të suksesshëm ka luajtu Policia e Shtetit.
Por në shumë nga hetimet tona janë evidentuar lidhje të krimit të organizuar me funksionarë të korruptuar të Policisë së Shtetit.
Unë kam patur në konsideratë kur bëra deklaratën, rezultatin e hetimeve të kryera nga SPAK nga viti 2020 deri në 2023 lidhur me subjekte punonjës të Policisë së Shtetit të proceduar penalisht dhe më rezulton janë proceduar penalisht rreth 70 punonjës policie nga SPAK. Dhe siç është bërë publike dhe nuk mund ta fsheh na kanë rezultuar drejtues të lartë të policisë lidhur me krimin e organizuar. Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunues me krimin e organizuar në krimet që krimi i organizuar kryhen. Ish-drejtori i Forcës Operacionale, disa shefa komisariatesh, shefa krimesh dhe nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që kemi bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit, bashkëpunojmë përditë”, u shpreh drejtuesi i SPAK Altin Dumani duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve.