Një 25-vjeçare shqiptare mbeti e plagosur rëndë mëngjesin e kësaj të marte në Luton të Bedfordshire, në Britaninë e Madhe.
Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesi, sapo shqiptarja la fëmijët në shkollë. Ajo u godit disa herë me thikë duke mbetur e plagosur rëndë.
Dëshmitarë të tmerruar thanë për DailyMail se autori e kishte ndjekur dhe sapo 25-vjeçarja la fëmijët, ai e kapi nga fyti e më pas nisi ta godiste në mënyrë të përsëritur me thikë. Pak kohë pas ngjarjes, policia e Bedfordshire vuri në pranga autorin e dyshuar.
Identitetet e tyre nuk janë bërë publike nga mediat britanike.
Megjithatë, banorë të zonës thanë se 25-vjeçarja kishte prej kohësh probleme me ish-bashkëshortin.
“Ishte e tmerrshme, brutale. Ajo u ndoq në rrugë nga autori, i cili e kapi nga fyti dhe më pas i vuri dorën në gojë në mënyrë që të ndalte ulërimat”, rrëfeu një dëshmitar për DailyMail. “Më pas e goditi disa herë me thikë në gjithë trupin, duke bërë që e reja të binte përtokë”, vijoi dëshmitari.
Ndërsa nëna e një prej nxënësve të shkollës tha se 25-vjeçarja iu lut për ndihmë duke qarë. ‘Bërtiste më ndihmo, më ndihmo”, rrëfeu dëshmitarja.
“Di nga fqinjët e saj se është nga Shqipëria dhe jeton me fëmijët, të cilët shkojnë në shkollën e zonës. U sulmua sapo i kishte lënë ata në shkollë. Ka pasur shumë probleme me ish-bashkëshortin. Ai i shkonte në shtëpi dhe ishte i dhunshëm”, vijoi dëshmitarja.
Policia tha se fëmijët ishin të sigurt dhe nën mbikëqyrje.
“Policia e Bedfordshire po heton sulmin me thikë të një gruaje pranë një shkolle në rrugën Dunstable, Luton, pak pas orës 08:30 të mëngjesit të sotëm. Ajo është dërguar në spital, me plagë të rënda në trup. Një person është vënë në pranga, si autor i dyshuar. Fëmijët janë të sigurt dhe nuk ka rrezik për publikun”, tha policia në një deklaratë për mediat