E diel, 20 Prill, 2025

Kampionati Europian është më i vështirë se Botërori? Messi i kundërpërgjigjet Mbappes

Ditë më parë, Kylian Mbappé siguroi se Europiani është një kompeticion më i komplikuar se Kupa e Botës, duke shkaktuar disa polemika me ata që mendojnë se nuk është kështu. Tani për këtë është shprehur edhe Leo Messi, duke bërë të qartë se nuk ndan mendimin e lojtarit të ri të Real Madridit.

“Gjithmonë e kam ndjerë në të njëjtën mënyrë, është një garë vërtet shumë e komplikuar (Kampionati Europian). Për mua është më e komplikuar se Kupa e Botës, edhe përkundër presionit që ekziston në një Botëror”, – tha Mbappe pak ditë më parë nga grumbullimi me kombëtaren franceze. Disa ditë më vonë vjen përgjigja e yllit argjentinas, tetë herë fitues i “Topit të Artë” dhe kampion bote në fuqi.

“Ai kishte thënë gjithashtu se skuadrat e Amerikës së Jugut nuk kishin… Nuk më kujtohet se çfarë tha para Kupës së Botës në Katar, – pohoi Messi, duke aluduar mbi një tjetër frazë të diskutueshme nga Mbappe, të bërë pak më shumë se dy vite më parë (“futbolli i Amerikës së Jugut nuk është aq i avancuar sa në Europë”).

– Mendoj se të gjithë i japin rëndësi kompeticionit në të cilin luajnë. Sigurisht që Europiani është një kompeticion shumë i rëndësishëm, ku marrin pjesë më të mirët. Por, si mund të injorohet Kupa e Botës, si mund ta konsiderosh atë më të lehtë se Kampionatin Europian, duke lënë jashtë vlerësimit kësisoji Argjentinën, tri herë kampione e botës, Brazilin, pesë herë kampion i botës dhe Uruguajin, dy herë kampion bote”.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit