Kombëtarja “kuqezi” do të luajë sonte ndeshjen e fundit në grup përballë Spanjës, ekipit favorit për fitimin e këtij Evropiani.
Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale, disa orë para ndeshjes shprehet se askush nuk do ta besonte me mendje që në ndeshjen e tretë të grupit të EURO 2024, Shqipëria do të ishte akoma në lojë.
Ai ndër të tjera shton se cilidoqoftë rezultati i ndeshjes së sotme, Kombëtarja jonë e re do ta dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive.
Postimi i Ramës:
FORCA SHQIPE
Askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”
Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen.
Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë.
Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EUR 2024-ës.