Pjesa më e prekur nga skandalet në sistemin shëndetësor është shtresa e pensionistëve.
Një i moshuar është shprehur se të gjitha analizat, që duhet të bëheshin në spital falas, i bëjnë në klinikat private.
“Analizat e gjakut i bëjmë në spital privat, pasi shteti nuk e ka si shërbim.
Kam paguar 5 mijë lek të reja, ilaçet na kanë lodhur shumë, pasi nuk ka as rimbursime dhe paguaj 49 mijë lek në muaj.
Ilaçin e zemrës nuk e kam marrë akoma, na sorollatin kot.”
Në reagimet e tyre të moshuarit janë shprehur se marrin 80 mijë lek pension në muaj, ndërsa ilaçet shkojnë nga 50-100 mijë lek.
“Nuk ka lekë të mjaftueshëm për ilaçe pasi më shkojnë 50-100 mijë lek në muaj dhe pensioni im është 85 mijë lek.
Kur nuk më dalin paratë, shkoj dhe lyp pasi nuk kam se çfarë të bëj.
Na e kanë caktuar dhe farmacinë në të cilën duhet të shkojmë për të blerë ilaçet dhe na kanë orientuar vetë mjekët të shkojmë aty.”
Një qytetar, i cili sapo ishte kthyer nga Amerika, në një intervistë për mediat është shprehur i revoltuar me situatën e rëndë që ka hasur në Spitalin e Onkologjikut.
Ai ka theksuar se këtu sapo të fusësh këmbën, çdo gjë duhet të paguhet, pasi në të kundërt nuk merr shërbimin.
“Unë po vij nga Amerika, kam 27 vite atje, por këtu është mizerabël, mizerabël. Duhet që qeveria të vërë dorë, njerëzit po vdesin këtu.
Kam disa ditë këtu se kam burrin e motrës dhe çdo gjë duhet të paguhet.
Këtu është një krim i madh, duhet të dënohen të gjitha hajdutët dhe maskarenjtë.” /btvnews.al