Lojtarët e Spanjës do të fitojnë 300,000 paund secili nëse mposhtin Anglinë në finalen e Europianit, por mbetet një shifër më e ulët se ajo që do të arkëtonin “tre luanët” në rast suksesi.
Djemtë e Luis de la Fuentes kanë fituar çdo ndeshje për të mbërritur në finalen e Berlinit këtë të diel. Dhe skuadrës së tyre i është premtuar një shpërblim i shpejtë nga Federata Spanjolle e Futbollit pas bisedimeve me lojtarët senatorë. Ylli i Mançester Sitit, Rodri dhe ish-sulmuesi i Çelsit, Alvaro Morata, tani kapiteni i “La Roja”, drejtuan diskutimet me drejtuesit e RFEF. Çdo anëtar i skuadrës prej 26 lojtarësh të Spanjës, plus trajneri De La Fuente, do të marrë një bonus prej 364,516 eurosh [306,646 paundësh] nëse mundin heronjtë e Garet Sauthgejtit në 14 korrik. Ky do të ishte bonusi më i lartë në historinë e kombëtares së tyre. Portieri i Arsenalit, David Raja dhe mbrojtësi i Çelsit, Mark Kukureja do të ndajnë të njëjtin shpërblim, ashtu si edhe 16- vjeçari i Barcelonës, Lamin Jamal.
RFEF do të përfitojë 28.5 milionë euro nga UEFA nëse Spanja fiton turneun. Një delegacion prej katër lojtarësh të vjetër ndërmjetësuan me federatën një marrëveshje, ku skuadra do të merrte 40 për qind të asaj shume, 11.3 milionë euro. Kjo shumë do të ndahej në 31 pjesë, me trajnerët dhe stafin që do të ndajnë katër pjesët e mbetura pasi lojtarët dhe De La Fuente të kenë marrë shpërblimet e tyre. Por yjet e Anglisë do të gëzojnë një pjesë edhe më të madhe të parave nëse ngrenë trofeun. “SunSport” zbuloi muajin e kaluar se lojtarët do të ndajnë 9.6 milionë paund nëse fitojnë Kampionatin Evropian.
Federatës Angleze do t’i akordohen 24 milionë paund në total, me yjet që pritet të fitojnë një bonus me vlerë rreth 369,000 £ secili. Por vetëm Sauthgejt pritet të marrë një bonus prej 4 milionë paundësh nëse e udhëheq Anglinë drejt lavdisë historike, mbi 10 herë më shumë se rivali i tij De La Fuente. Trajneri i Anglisë mund të vendosë të largohet pas finales. Megjithatë, shefat e FA duan që ai të qëndrojë edhe për dy vite të tjera në stol