Në rrjet është publikuar një video e re para atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump. Kjo video ka ngritur pikëpyetje të shumta në lidhje me ngjarjen, duke dyshuar se e gjitha ishte e stisur.
Në video shihet se qytetarët kanë parë 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks teksa është ngjitur në çatinë nga ku ka qëlluar drejt ish-presidentit amerikan.
“Ai po ngjitet në çati, e shihni? A është shtrirë?”, “ta shohim, është shtrirë” dëgjohen të thonë qytetarët
“Policia këtu, është dikush në çati”, bërtet dikush me uniformë.
Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara po heton se si autori i atentatit ndaj ish-Presidentit Donald Trump arriti të afrohej aq pranë saqë arriti të hapë zjarr dhe ta plagosë atë me një armë të stilit AR të shtunën në Pensilvani. Ngjarja po konsiderohet si një dështim i thellë i agjencisë.
FBI-ja identifikoi 20 vjeçarin Thomas Matthew Crooks si “subjektin e përfshirë” në atentatin e së shtunës ndaj ish presidentit Trump, një nga aktet e profilit më të lartë të dhunës politike në disa dekada.
Presidenti Joe Biden tha se ai ka kërkuar një analizë të pavarur të masave të sigurisë në tubim. Biden tha se ai ka udhëzuar gjithashtu Shërbimin Sekret të SHBA-së që të rishikojë të gjitha masat e sigurisë për Kuvendin Kombëtar Republikan, që fillon të hënën në Miluoki. Biden u bëri thirrje amerikanëve që të mos spekullojnë lidhur me motivin e autorit të sulmit.
FBI po e heton atentatin si një akt të mundshëm terrorizmi të brendshëm. Sulmi tronditi majat e sistemit politik amerikan dhe solli një zbutje të fushatës së nxehtë presidenciale të 2024-ës.
Motivi i autorit mbetet i paqartë. Familja e tij po bashkëpunon me autoritetet. Në makinën e autorit të dyshuar të sulmit u gjetën materiale për prodhim bombash dhe se të tilla materiale u gjendën edhe në shtëpinë e tij.