Në vijim të hetimeve për ngjarjen e rëndë të shkurtit të këtij viti në Shënavlash ku tre fëmijët vranë dhe groposën në kasolle babanë e tyre, Pëllumb Metën, prokuroria e Durrësit vijon hetimet për zbardhjen e shkakut të vërtetë të ngjarjes.
Mësohet se është kryer edhe akt ekspertim psikiatrik për tre fëmijët, Hygertën, Hysenin dhe Amarildo Metën.
Burime bëjnë me dije se një grup mjekësh ekspertë që trajtojnë problemet e shëndetit mendor kanë kryer ekspertimin psikiatrik për të parë nëse fëmijët e Pëllumb Metës kanë probleme të shëndetit mendor.
Nëse do të rezultojë që tre fëmijët nuk kanë probleme të shëndetit mendor, mbi ta mund të rëndojë akuza e vrasjes me paramendim. E pavërtetuar me prova shkencore është se cili nga fëmijët qëlloi me armë Pëllumb Metën, edhe pse policia dhe prokuroria deri tani kanë të dyshuar kryesor djalin e madh, Hysenin.
Sa i përket konflikteve që mund të kenë pasur në familje, gjatë hetimeve të zhvilluara nga shkurti deri më sot është pyetur djali i madh Hyseni lidhur edhe me dokumentet e tokës që dispononte Pëllumbi dhe pse Hyseni i mbante vetë dokumentet dhe a kishte plan të shiste tokën.