E diel, 24 Nëntor, 2024

Mungojnë dy titullarë të Partizanit, ja si do të luajnë “demat” në Gjeorgji

Partizani mundi të kalojë dy duelet e vështira në fushë me Marsaslok, por jo pa pasoja. Të kuqtë do të duhet të udhëtojnë drejt Gjeorgjisë pa dy nga lojtarët, të cilët e nisën si titullarë këtë fushatë të ndeshjeve të Ligës së Konferencës. Bëhet fjalë për Marçelino Prekën dhe Valentino Muratajn.

KAPITENI – Ky i fundit luajti vetëm tetë minuta kundër Marsaslokut në Maltë, para se të linte fushën për shkak të një goditjeje të marrë në gju, teksa edhe para ndeshjes kishte pasur një problem të ngjashëm. Pas ekzaminimeve të kryera është konfirmuar se Murataj nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë në Gjeorgji kundër Iberia në Tbilisi. Ai do të duhet të qëndrojë jashtë të paktën një javë, çka bën të vështirë edhe gatishmërinë në ndeshjen e dytë. Mungesa e Muratajt është një faturë që paguhet në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes. Fieraku është kapiten i ekipit dhe një katalizator energjie dhe grinte në dhomat e zhveshjes. Përveç kësaj, ai konsiderohet si lojtar trajneri, pasi vrapon pafund dhe bën çdo detyrë të mundshme.

MBROJTËSI – Më enigmatik është dëmtimi i Marçelino Prekës, por e konfirmuar është mungesa e tij edhe në këtë ndeshje të radhës. Shkodrani ishte projektuar titullar, por një dëmtim para ndeshjes e ndali dhe Shehi aktivizoi Zguron. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në sfidën me Iberia. Preka ka ardhur prej dy vitesh te Partizani si një lojtar shumë premtues, por dëmtimet e kanë penguar së tepërmi sa herë ai ka arritur të bindë trajnerët për një fanellë titullari. Edhe Preka është në dyshim të madh për ndeshjen e 2 gushtit, që do të shohë “demat” si pritës.

FORMACIONI – Shehi nuk bën pjesë te trajnerët që bëjnë eksperimente edhe kur nuk është nevoja dhe formacionin fitues nuk e ka zakon ta ndërrojë. Nisur nga kjo, rreshtimi në Gjeorgji pritet të jetë i ngjashëm me atë të Maltës. Në mesfushë, në vend të Muratajt pritet Mehmeti, teksa edhe Keko mund të fitojë një fanellë titullari përpara Bintsukës, pas paraqitjes pozitive të bërë në Maltë. Zeka dhe Piloto janë opsionet e ardhura nga merkato, por duket se ende nuk janë shfaqur ende në formën e duhur sa për ta nisur si titullarë këto sfida. Trajneri Shehi nuk i preferoi asnjë minutë në ndeshjen e fundit. Nisur nga fakti se nuk ka në dispozicion “uingera” ne gjendje për të bërë diferencën, trajneri duket se ka vendosur të spostohet te skema 3-5-2. Duhet thënë se për këtë ndeshje pritet të rikthehet Taipi, që është rikuperuar thuajse tërësisht.

Mungojnë dy titullarë të Partizanit, ja si do të luajnë

Artikuj te ngjashem

Me te fundit