Sipas tij, amnistia ishte hapi i parë i pazarit Rama-Berisha kundër drejtësisë, i cili vijoi me atë për vendimin e vulës dhe që do të kulmojë me mbylljen e listave, pasi kryeministrit dhe ish-kryeministrit u duhen deputetë kamikazë në luftën e tyre kundër SPAK.
Basha i bën sërish thirrje deputetëve opozitarë të reflektojnë dhe të bëjnë gjënë e duhur, duke mos u bërë pjesë e këtij pazari, por të luftojnë për një Reformë Zgjedhore të vërtetë, që fuqizon votën e qytetarëve dhe e vendos Parlamentin në shërbim të tyre.
Postimi i plotë i Bashës:
Raporti i Komisionit Europian për Sundimin e Ligjit ka konfirmuar drejtësinë e qëndrimit tonë të kahershëm kundër amnistimit të të korruptuarve të votuar nga Rama dhe Berisha, një pazar antidrejtësi, i cili ka ngritur shqetësime edhe për Bashkimin Europian.
Trysnia politike mbi sistemin gjyqësor, korrupsioni i përhapur në shumë fusha, korrupsioni zgjedhor dhe një shkallë e lartë e përqendrimit në mjedisin mediatik shqiptar, janë pasqyra europiane në të cilën reflektohen qartë deformimet e qeverisë dhe ortakëve të saj të teatër-opozitës. Përpjekjet e Ramës dhe Berishës për të penguar drejtësinë, janë arsyeja e këmbënguljes sonë për një mbështetje pa kushte të SPAK, nëpërmjet krijimit të mundësive me burime njerëzore dhe infrastrukturë materiale, në mënyrë që investimi më i madh i shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, të mos cenohet nga frika e dinosaurve të tranzicionit prej fundit të pandëshkueshmërisë.
Është e qartë pse, pavarësisht propozimeve tona konkrete përmes amendamenteve të dorëzuara në Kuvendin e Shqipërisë për të mbështetur SPAK-un në përballjen me mangësitë që i thekson edhe raporti i Komisioinit Europian, Rama ka vijuar me rrethimin ndaj tij. Madje, bashkë me Berishën kanë arritur të trysnojnë drejtësinë nëpërmjet votimit të amnistisë për lirimin e të korruptuarëve, duke dhënë mesazhe të qarta shantazhuese, që pas pazarit të vulës, do të vijojë me sulmin frontal ndaj Prokurorisë të Posaçme, e cila kërcënon status quo-në që duan të mbrojnë me çdo kusht.
Dhe sot është dita në të cilën Rama dhe Berisha do kërkojnë të arrijnë në stacionin e radhës të planit të tyre kundër SPAK, sepse allishverishi për të mbyllur listat, është vetëm bërja gati e trupës së kamikazëve të pavotuar nga qytetarët, që iu duhen në përballjen e tyre me drejtësinë.
Për këto arsye, të gjithë ata deputetë që e kanë më të qartë se kurrë që amnistimi i të korruptuarve, mbyllja e listave dhe shantazhi ndaj drejtësisë nuk janë akuza politike, por fakte të konstatuara edhe nga institucionet ndërkombëtare, sot nuk duhet të bëhen pjesë e këtij pazari në dëm të interesit publik. Sot, është dita për të bërë gjënë e duhur, sepse shqiptarët meritojnë një Reformë Zgjedhore të vërtetë, që fuqizon votën e tyre dhe e kthen parlamentin në shërbim të qytetarëve.