Mbrëmjen e djeshme, skena e festivalit “Sunny Hill 2024” në Prishtinë u ndez nga një paraqitje spektakolare e artistes me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha. Kjo ishte hera e parë që këngëtarja performoi në Kosovë, duke ofruar një performancë të zjarrtë për bashkëkombësit e saj
“Unë jam Bebe Rexha dhe jam shumë e lumtur që jam në Kosovë për herë të parë”, kanë qenë fjalët e para në shqip, pas tri këngëve të interpretuara.“E kam prindin nga Dibra, dhe gjakun e kemi një”, ka thënë ajo në skenën ku shoqërohet nga katër valltare.
Performanca kulmoi me Beben që filloi të kërcente nën ritmin popullor, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme për të gjithë të pranishmit.
Publiku reagoi me entuziazëm të madh ndaj këtij gjesti, duke duartrokitur dhe kërcyer me ritmet e muzikës që kishte ngjallur emocionet dhe krenarinë kombëtare. Kjo paraqitje unike dhe e menduar mirë, jo vetëm që tregoi talentin e saj të jashtëzakonshëm, por gjithashtu përforcoi lidhjen e saj me vendin dhe njerëzit e Kosovës.
Bebe Rexha vazhdon të jetë një nga artistet më të dashura dhe më të suksesshme shqiptare në botë, dhe performanca e saj në “Sunny Hill 2024” ishte një moment historik që do të kujtohet gjatë.