E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Tritoli në Velipojë, reagon pronari i lokalit: Zhgënjim! Punova dhjetë vite në emigrim dhe investova

Një sasi tritoli shpërtheu mbi çatinë e një lokali në plazhin e Velipojës. Sasia e tritolit ishte vënë në objektin në pronësi të shtetasit me iniciale K.P., i cili në një prononcim për mediat, theksoi se kjo është hera e dytë që ndodh.

Ai nënvizoi se nuk ka probleme me askënd, ndërsa biznesit e ka ndërtuar nga të ardhurat në emigrim.

Preka kërkoi që drejtësia të veprojë dhe të identifikojë autorët, pasi siç theksoi, nuk ka asnjë detyrim ndaj askujt.

“Mbrëmë në orën 03.00 të natës më ka marrë vëllai në telefon, pasi kanë hedhur lëndë plasëse në restorant. Është hera e dytë që ndodh dhe që prej herës së parë vëllai rri këtu. Autori siç duket edhe në kamera ka qënë i maskuar, ka dalë pas lokalit dhe ka hedhur lëndë plasëse. Fatmirësisht vëllai ka qenë pak më larg se ku ka ndodhur shpërthimi dhe nuk ka marrë dëmtime fizike. Nuk kemi konflikte me asnjë, unë jam emigrant në Gjermani prej 10 vitesh me nënshtetësi. E kam parë të arsyeshme të investoj në vendin tim. Shife çfarë ndodh!

Jam shumë i zhgënjyer, të punosh 10 vite dhe të vish të investosh këtu dhe të të ndodh kjo, të të sulmojnë pa i pasur njeriu asnjë detyrim. Shpresoj që policia të merret me këtë çeshtje sepse është hera e dytë që ndodh dhe të mos mbesin gjërat në këtë pikë, po të gjenden autorët”, tha pronari i lokalit.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit