Carlo Ancelotti, nga mjediset e “Chicago’s Soldier Field”, analizoi humbjen 1-0 të Real Madridit ndaj Milanit, para gazetarëve. Sigurisht, ai ishte krenar për qëndrimin e skuadrës: “Kemi luftuar, kemi bërë gjëra të mira. Luajtëm ndeshjen e parë të këtij parasezoni, kishim shumë të rinj në formacion, e rëndësishme ishte të konkurronim. Duhet t’i përshtatim me grupin prurjet e reja, por nuk mund të mendojmë se Endrick apo Mbappe mund të ingranohen plotësisht brenda pesë ditësh”.
Çfarë ju pëlqeu më shumë?
Kemi garuar, kemi luftuar, kemi bërë gjëra të mira. Ndeshja e parë, me shumë të rinj, e rëndësishme ishte garimi. Kishim momente të mira, të tjera që duhen përmirësuar. Është krejt normale. Vlerësimi është pozitiv, ishte një rast ideal për të rinjtë, që të luanin në këtë ndeshje. Me veteranët ia kemi dalë më mirë, por tani ata nuk duhet të luajnë më shumë se 45 minuta. Tani le të përgatitemi për ndeshjen tjetër, kemi edhe dy miqësore këtu në Amerikë. Brazilianët janë kthyer, le të shohim nëse mund të luajnë në ndeshjen e radhës. Ata që kanë mbërritur më 15 korrik janë tashmë në gjendje të mirë.
Si e keni parë Brahimin?
Ai luajti mirë, bëmë gjëra pozitive në sulm. Arda është në formë të mirë, Endrick gjithashtu. Shkëlqyen edhe mbrojtësit e krahut. Të rinjtë e shfrytëzuan momentin, jemi të lumtur për ta.
Joan Martínez luajti shumë mirë…
Ai ka potencial të rëndësishëm, është shumë i ri, ka gjithçka që i nevojitet një qendërmbrojtësi, është shumë i vëmendshëm, shumë i mirë me topin. Duhet të përmirësojë shumë gjëra, mund të ketë një të ardhme te Real Madridi. Ai duhet të vazhdojë në akademinë e Real Madridit, e cila bën punë shumë të mirë.
Si e shihni aspektin fizik të skuadrës?
Objektivi deri në datën 7 është të përpiqemi të marrim lojtarët që janë në gjendjen më të mirë fizike. Ne nuk bëjmë punë taktike vetëm për të rinjtë. Kur të kthehen të gjithë, do të punojmë edhe me taktikat.
Si e keni parë Endrick?
Është e vështirë të nxirret një përfundim. Ajo që shoh është se ka diçka të veçantë, mund të arrijë shpejtësinë maksimale në shumë pak hapësirë. Ëhumë i zoti në driblim, këto janë cilësitë që ka. Në këtë kuptim, ai është një talent. Është e rrallë të shohësh një lojtar me këto karakteristika.
Güler ka punuar shumë në mbrojtje…
Ka ardhur shumë mirë, ka punuar shumë gajtë pushimeve. Ka ardhur më i fuqishëm, më rezistent dhe me të njëjtën cilësi. Ky sezon për të do të jetë i rëndësishëm, me më shumë rëndësi. Pozicioni më i mirë i Arda është mes rreshtave, mund të luajë si 10, edhe i djathtë nga brenda… Nuk duhet të luajë në të majtë, me atë këmbën e majtë që ka. Nëse ka mundësinë për të goditur, duhet ta bëjë këtë.
A mundet ky Real Madrid të ushtrojë presion gjatë gjithë lojës?
Presioni i vazhdueshëm lart është një rrezik shumë i lartë. Kur është koha për të shtypur fort, mund ta bëjmë këtë. Në pjesën e pasme jemi mjaft të shpejtë, të fuqishëm. Mund të luajmë me të dyja sistemet, me 4-3-3 jeni më solid, me 4-4-2 mund të spostohemi më lart.
Çfarë menduat për Milanin?
Përpiqet të luajë nga pas, i pëlqen ta mbajë topin. Bëri mjaft mirë në këtë miqësore. Ka të rinj shumë të mirë, si portieri. Është koha që të rinjtë të tregojnë cilësinë e tyre.
Çfarë iu thatë lojtarëve të rinj?
Iu thashë ta shijojnë momentin. Të luajnë me fanellën e Real Madridit nuk iu ndodh të gjithëve. Ishte një moment shumë i rëndësishëm për ta. Nuk duhet ta përjetojnë me ankth dhe presion.