Zona e njohur si Qaf Murrize në fshatin Xibër – Murrize të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit vijon të përballet me ndotje. Veç mbeturinave të cilat hidhen aty nga vizitorët ditor kryesisht në fundjavë, një tjetër fenomen i është shtuar.
Nëse dikur mbetjet urbane hidheshin në aksin e vjetër Qaf Buall – Klos, ato tashmë janë zhvendosur në Qafën e Murrizit. Po ashtu edhe mbetjet e subjekteve tregtare janë depozituar aty si arka peshku etj.
Situata mbetet shqetësuese për shkak se zona është shumë e frekuentuar pasi ndodhet rruga e Arbrit dhe qarkullimi i automjeteve është shumë i madh. Veç kontrolleve periodike nga autoritetet për të zbuluar ndotësit e mjedisit, në zonë mungojnë edhe kontejnerët për të hedhur mbeturinat vizitorët apo kalimtarët që përdorin këtë aks rrugor.
Hedhja e mbeturinave pa kriter në zonën e Qaf Murrizit, ka nisur që me hapjen për qarkullim të rrugës së Arbrit pak vite më parë. Ndërkohë, ndotësit më të mëdhenj janë pushuesit që vijnë nga zona e Tiranës dhe kalojnë orët e nxehta të ditëve të verës për të qëndruar nën freskinë e pemëve të Ahut që ndodhen aty.