Sipas burimeve, atentatorët kanë ndjekur prej disa ditësh lëvizjet e shënjestrës, kjo për faktin se e kanë pritur me makinë 30 minuta në afërsi të lokalit, të parkuar në një cep pallati.

Kjo tregon se ata ishin të mirëinformuar se objektivi i tyre do të ulej në lokal. Dy të plagosurit kanë ardhur dhe janë ulur në verandë gjatë kohës që autorët i prisnin në afërsi.

Nga kamerat e sigurisë, autorët kanë lëvizur me automjet për t’u siguruar se janë ulur aty dhe kanë saktësuar tavolinën.

Më pas janë rikthyer para lokalit, kanë kthyer makinën sepse rruga te pallati është rrugë qorre, kanë qëlluar dhe janë larguar menjëherë nga kanë ardhur.

Sa i përket itinerarit, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të grupit hetimor, u zbulua se makina ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes.

Të njëjtin itinerar ndoqi edhe në kthim, derisa e dogjën makinën në Qerekë.

Kjo zonë duket se është studiuar mirë më parë nga autorët, pasi nuk ka mbulim me kamera sigurie.

Në verifikim kanë qenë edhe targat, të cilat rezultojnë se i përkasin një makine në Kamëz. Ndërkohë targat që ka qenë i pajisur automjeti i autorëve i përket një makinë në Valias të Kamzës. Këto targa janë të dubluara dhe nuk ka pasur denoncim, sipas asaj që ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj.

Dyshimet janë që shënjestër e kësaj ngjarje të ketë qenë Elezaj. Mirëpo në dëshminë e tij, ai dhe 22-vjeccari Metushi kanë mohuar konflikte me persona të tjerë.

“E kisha lënë për të pirë kafe me Renaldo Metushin dhe u ulëm në verandën e lokalit. Ne pimë kafe çdo ditë në të njëjtin lokal sepse jemi të papunë. Unë nuk kam parë kush më ka qëlluar dhe nuk e di kush ka dashur të më vrasë. Nuk kam asnjë konflikt me njeri dhe nuk i ruhem askujt. Lëviz lirshëm rrugëve dhe në kafe rri i pa shqetësuar”, tha Elezaj para hetuesve.

Dy të plagosurit nuk njihen si anëtarë të ndonjë grupi kriminal. Ata ndodhen në spital, nën kujdes intensiv, por jashtë rrezikut për jetën.