Një sherr me thika u shënua mbrëmjen e djeshme në bulevardin e Kasharit në Tiranë, ku mbetën të plagosur dy të rinj.
Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur jashtë një pastiçerie, ku tre të rinj pasi kanë konsumuar alkool janë përfshirë në një sherr të dhunshëm me njëri-tjetrin.
Raportohet se i riu Mond Qori është konfliktuar me 18-vjeçarin Eri Driza, të cilin e ka qëlluar me shpullë.
Më pas Qori është larguar për në banesë, ku ka marrë një thikë dhe ka qëlluar Drizën dhe Ernest Malokun.
Ai i ka qëlluar 8 herë me thikë 18-vjeçarin, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i plagosur ka mbetur dhe 20-vjeçari.
“Më datë 19.09.2024, rreth orës 22:50, përballë një pastiçerie në bulevardin e Kasharit, në Unazë të Re, gjatë një konflikti për motive të dobëta janë plagosur dyshohet me mjete prerëse shtetasit E. D., 18 vjeç, dhe E. M., rreth 20 vjeç.
Dy të dëmtuarit janë dërguar në spital dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve, ndërsa vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të saj”, njoftoi policia.