E enjte, 21 Nëntor, 2024

Renditja e FIFA, “bie” Shqipëria/ Kombëtarja kuqezi zbret në vendin e 61 të klasifikimit botëror

Shqipëria ka humbur një pozicion në renditjen e FIFA. Në përditësimin e parë të klasifikimit botëror, që pas finaleve të “Euro 2024”, skuadra kuqezi mban vendin e 61-të.

Ky është pasqyrimi i rezultateve në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku të besuarit e Sylvinho u shfaqën me dy fytyra.

Kombëtarja shqiptare fitoi 2-1 kundër Ukrainës në sfidën e parë, ndërsa u mund 1-0 nga Gjeorgjia në “Air Albania” në përballjen e dytë.

Suksesi i gjeorgjianëve në Tiranë, por edhe fitorja në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve kundër Çekisë, ka bërë që ata të kalojnë kuqezinjtë në renditjen botërore të FIFA.

Sa i përket Kosovës, ajo ka fituar dy pozicione në këtë klasifikim.

“Dardanët” ngjiten në vendin e 104, pasi regjistruan një humbje dhe një fitore në dy ndeshjet e para në grupin e tyre në Ligën e Kombeve.

Nuk ka ndryshime në dhjetëshen e parë të renditjes së përgjithshme të FIFA.

Argjentina, kampione e botës në fuqi vazhdon të mbajë vendin e parë, ndërsa ndiqet nga Franca dhe Spanja. Pesëshja e parë e klasifikimit botëror plotësohet me Anglinë dhe Brazilin.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit