Ndeshja e javës së shtatë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll mes ekipit të Besës së Kavajës dhe Burrelit, që ishte planifikuar të luhej në transfertë, është luajtur në stadiumin “Liri Ballabani” për shkak se fusha e kavajasve është në rikonstruksion.
Takimi nisi me eufori por ishin miqtë ata të cilët e gjetën rrjetën që në minutën e 7 me Goxhajn i cili ndodhet brenda zonës së portës së Danit dhe nuk lejon t’i ikë mundësia.
Tentativat e Farrukut janë të pasuksesshme, teksa miqtë dyfishojnë shifrat në minutën e 35 me Dos Santos. Ky i fundit merr një top në të djathtë të portierit matjan dhe me forcë dërgon topin në rrjetë.
Matjanët mund të kishin ngushtuar rezultat në minutën e 45 teksa Dushkaj gjendej i vetëm me portierin mik, është Goxhaj i cili ndërhyn dhe ndal aksionin. Kjo i kushtoi atij karton të kuq.
Pjesa e parë mbyllet me këto raste, ndërsa miqtë e nisin lojën me një lojtar më pak. Por as kjo nuk i mjaftoi matjanëve për të shënuar gol. Në minutën e 83 miqtë shfrytëzojnë saktë një kundërsulm dhe Gjinaj del i vetëm me portierin Dani, duke trefishuar rezultatin. Ky gol vulosi rezultatin final Besa 3 e Burreli 0. Rezultatet e ndeshjeve të luajtura këtë të shtunë ishin: Valbona – Apolonia 1 me 1, Korabi – Flamurtari 1 me 2, Pogradeci – Kukësi 2 me 0 dhe Lushnja – Erzeni 0 me 0.