E enjte, 21 Nëntor, 2024

Sot Gjeorgji-Shqipëri! Ndeshje vendimtare për kuqezinjtë

Përfaqësuesja kuqezi ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme seancën e fundit stërvitore në stadiumin, ku sot do të luhet ndeshja e raundit të katërt të Ligës së Kombeve përballë Gjeorgjisë.

Një seancë ku Silvinjo ka mundur të punojë me futbollistët edhe në aspektin taktik të lojës që pritet ndaj vendësve.

Kuqezinjtë janë fokusuar te aspekti atletik për të rikuperuar nga lodhja e ndeshjes me Çekinë, por edhe në aspekte te ndryshme të taktikës që do të përdoret, duke u ndalur më pas edhe te një problem i dukshëm që është shfaqur në ndeshjet e fundit që ka të bëjë me gjuajtjet në portë, një mangësi e madhe e ekipit në dy disfatat kundër Gjeorgjisë në Tiranë dhe Çekisë në Pragë. Në ndeshjen e Tiranës, kuqezinjtë nuk kanë gjuajtur asnjëherë në portën kundërshtare gjatë 90 minutave, ndërsa arritën vetëm dy herë që të kalibronin goditjet në portën Çeke me Asllanin dhe Tucin.

Në këtë takim, nisur edhe nga obligimi që kemi për të marrë vetëm fitoren trajneri Sylvinho duket se do të ketë një formacion me tipare më ofensive. Ndërkohë që porta dhe mbrojtja do të mbetet e njëjtë me Strakoshën mes dy shtyllave dhe Hysajn, Ismajlin, Kumbullën dhe Mitajnë në repartin e mbrojtjes, në mesfushë pritet të tërhiqet Barjami për t’i zënë vendin Laçit, I ndihmuar nga Ramadani dhe Asllani.

Ndërsa në 3-shen sulmuese pritet nga minuta e parë Arbër Hoxha me Jasir Asanin në ndihmë të sulmuesit të vetëm qendror Mirlind Daku. Një ndeshje shumë e vështirë për kuqezinjtë që ndryshe nga takimet e tjera kanë vetëm një zgjidhje, fitoren, për të mbajtur ende gjallë objektivin kryesorë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit