Motivet e ngjarjes akoma nuk dihen, teksa tashmë ka nisur hetimi nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Kjo ngjarje ka tronditur familjen Myftari, ku ndodhi krimi i rëndë dhe humbi jetën Auroni, ndërsa i dyshuar është vëllai i tij, Genti. Të dy raportohet të jenë vëllezër të regjisorit kosovar Agon Myftari.
Në emër të familjes, Agoni ka kërkuar mirëkuptim nga mediat që të mos spekulohet për rastin e vdekjes së Auron Myftarit, i cili dyshohet se u vra nga vëllai i tij, Gent Myftari.
Postimi i plotë:
Të dashur familjarë e miq,
Me dhimbje të thellë e me zemër të thyer, ju njoftojmë se djali e vëllau jonë, Auron (Hazir) Myftari, në rrethana tragjike, mbrëmë ka humbur jetën.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, në varrezat e qytetit në Arbëri. Për detajet e sakta rreth varrimit, do të njoftoheni me kohë.
Rrethanat që kanë dërguar në humbjen e parakohshme të jetës së Auronit, janë duke u hetuar nga policia. Prandaj, kërkojmë mirëkuptim që të mos spekulohet deri sa organet e rendit ta japin versionin e tyre për ngjarjen tragjike.
“Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi” (Kur’an, 2:156).
Shpirti i tij u prehtë në paqe! Me respekt, Familja