Ky është një ndër pallatet më të dëmtuara nga lëkundjet e tërmetit të vitit 2019 në qytetin e Bulqizës. Por edhe pse u bënë 5 vite nga dëmtimi i tij, e vetmja masë e marrë është moslejimi i banorëve të jetojnë në të, ndërsa ai vijon të qëndrojë në këmbë.
Ekspertët lokal dhe ato të Institutit të Ndërtimit në Tiranë e kanë nxjerrë këtë pallat si objekt të pabanueshëm duke kërkuar largimin e banorëve që vijonin të jetonin aty. Duke qenë se Qarku Dibër nuk u përfshi me vendim qeverie në zonën e emergjencës kombëtare, shembja dhe rindërtimi i këtij pallati i mbeti Bashkisë Bulqizë.
Kjo e fundit deri tani nuk ka nbërë asgjë më shumë veçse ka larguar banorët prej aty nga frika se objekti mos shembej e t’i zinte brenda.
Banorët janë dërguar në banesa me qera, ndërsa një pjesë tek familjarët e tyre, por që shpresojnë të rikthehen. Jashtë kameras, banorët u shprehën se prej 5 vitesh nuk dinë se çfarë do të bëhet me banesat e tyre, ndërsa aty kanë lënë kursimet e jetës.
Për shkak të frikës nga hyrja e hajdutëve, vetë banorët kanë ndërtuar një portë për pallatin ku banonin, në mënyrë që të mos kenë më shumë dëme, pasi një pjesë të orendive shtëpijake i kanë ende brenda atyre banesave.