E shtunë, 23 Nëntor, 2024

“Qeveria dështoi të rrisë pensionet”, Tabaku: Me 20 lekë në ditë, sot nuk blihet as një biletë autobusi!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka cilësuar kritike situatën e pensionistëve në Shqipëri.

Ajo kërkon që pensionistëve t’u sigurohen kushte më të mira dhe mbështetje më e fuqishme ekonomike, duke theksuar se kjo nuk është çështje që mund të zgjidhet me retorikë politike, por kërkon vullnet dhe vendime të guximshme për të mbështetur të moshuarit.

Më në fund pensionet janë bërë çështje dite nga nevoja që ka qeveria për të justifikuar që nuk i ka rritur pensionet dot, megjithëse shpenzimet vazhdojnë të rriten në të gjitha format. Pensionistët po ndjejnë efektet e reformës së dështuar të vitit 2015. Numri i pensionistëve ka arritur në 30% dhe skema e pensioneve nuk ka qenë efektive. Rënia e forcës së aktive punës ku 40% është larguar e ka vendosur bazamentin e skemës së pensioneve në një pikëpyetje shumë të madhe. Rritja e çmimeve nuk është shoqëruar me rritje pensionesh, por ka pasur një indeksim minimal që e ka bërë të pamundur që të mbijetojnë”, tha Tabaku.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Tabaku fton pensionistët të pyesin deputetët socialistë: “Çfarë ju blejnë prindërit me 20 lekë në ditë?”.

Ajo deklaroi që kjo çështje nuk duhet trajtuar politikisht, pasi çmimet e rritura prekin njësoj si të majtët, ashtu edhe të djathtët.

Çmimet e rritura i paguajnë njësoj si të majtët, ashtu edhe të djathtët. Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim. Me 20 lekë në ditë, sot nuk blihet as biletë autobusi, as gjysmë kafe, jo më të mbulohen nevojat që kanë sot pensionistët, si ilaçet, ushqimet apo të tjera produkte jetike”, deklaroi Tabaku.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit