Herë pas here është bërë problem në media gjendja e vështirë ku ndodhet segmenti i rrugës së Arbrit në të ashtuquajturin Bajpasi i Murrizit.
Ky segment jo vetëm që ka një karrexhatë të ngushtë për lëvizjen e mjeteve, por ka edhe gropa të shumta e deformime të karrexhatës, duke e bërë atë një rrugë tejet të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve.
Këta të fundit shqetësohen akoma më shumë teksa dimri po afron, pasi dhe vështirësitë e qarkullimit pritet të jenë edhe më të mëdha për to.
Ndaj ata kërkojnë që firma zbatuese e punimeve të ndërhyjë në mënyrë urgjente për mbushjen e gropave, vendosjen e sinjalistikës së nevojshme dhe mbrojtëset anësore metalike.
Sipas drejtuesve të mjeteve të qarkut Dibër e më gjerë, si dhe ato të Maqedonisë së Veriut që e përdorin shpesh këtë aks, kalimi në Bajpasin e Murrizit është bërë tejet i vështirë.
Mbetet ende enigmë data e hapjes së tunelit të Murrizit për qarkullimin e mjeteve, i cili, me vënien në funksionim do të zgjidhte një mori problemesh me të cilat po përballen sot përdoruesit e Bajpasit të Murrizit në rrugën e Arbrit