Këngëtarja e njohur shqiptare Jonida Maliqi ka ngritur një padi kundër ish-bashkëshortit të saj, biznesmenit Gent Prizreni, duke pretenduar se ky i fundit nuk ka respektuar marrëveshjen për pagesën e pensionit ushqimor për djalin e tyre, Dan.
Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, marrëveshja pas divorcit, i cili ndodhi para tetë vitesh, përcaktonte që Gent Prizreni të paguante një shumë prej 2 mijë eurosh në muaj. Megjithatë, këngëtarja pretendon se këto pagesa nuk janë kryer sipas marrëveshjes.
Gjatë martesës, Jonida dhe Gent u bënë prindër të një djali, ndërsa pas ndarjes, përgjegjësitë financiare për rritjen e tij u përcaktuan në mënyrë ligjore. Në kërkesëpadinë e saj, Jonida thekson se ish-bashkëshorti zotëronte një pasuri të konsiderueshme në kohën e divorcit, duke përfshirë prona të paluajtshme në disa zona të Shqipërisë, me një vlerë të vlerësuar prej 3 deri në 4 milionë euro.
Ndërsa çështja është ende në proces gjyqësor, avokatët e këngëtares kanë theksuar rëndësinë e respektimit të detyrimeve ligjore nga ana e ish-bashkëshortit, për të siguruar mirëqenien e fëmijës.
Gjithsesi, asnjëra nga palët nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për mediat deri më tani.