Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë ka komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë sot (24 Nëntor) në Londër.
“Turp e faqja e zezë për Edi Ramën e Sali Berishën”, e cilësoi Lulzim Basha, duke sulmuar lidershipin e të dy partive më të mëdha, mazhorancës dhe opozitës, me një postim sot në rrjetin social Facebook.
“Në Shqipëri bëjnë pazare me njëri-tjetrin për interesa të tyre dhe jashtë vendit, siç ndodhi sot në Londër, nxisin dhunë e përplasje mes shqiptarëve”, shprehet Basha ndër të tjera, duke komentuar edhe antimitingun e opozitës para godinës ku do mbahej takimi i kryeministrit me Diasporën.
Më tej theksoi se “ata kanë interes vetëm pushtetin e tyre”, të cilin “e duan me çdo çmim edhe mbi gjakun e shqiptarëve me shpresën se do t’i shpëtojnë llogaridhënies para ligjit”.
“Pamjet e sotme të përplasjes mes shqiptarëve në Londër janë drithëruese. Këto pamje të shëmtuara duhet të marrin fund dhe shqiptarët të ndërgjegjësohen që të mos përdoren si mish për topat e pushtetit të Edi Ramës dhe Sali Berishës”, tha Basha.