Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bulqizë, për të prezantuar projektin për Parkun Tematik Retro, “Divizioni” një model inovativ i zhvillimit të turizmit që do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për turistët.
Rama: Do të krijojë kushtet për të mikëpritur në këtë infrastrukturë artizanët e zonës, gra të cilat sot janë shëmbëlltyra të përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme mes traditës ushqimore të kësaj zone, jo vetëm sa i përket produkteve të përgatitjes së zonës.
Do të mikëpresë edhe ata të cilët kultivojnë, apo përpunojnë produkte, qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit të bimëve medicinale.
Do mirëpresë familjet, gjyshërit, fëmijët, udhëtarë vendas apo turistë të huaj që po rriten vit pas viti në këtë qark, që deri dje kur flisje për turizëm të shihnin shtrembët sikur po talleshe.
Këtu është problem kur flet se të gjithë të shohin gati për të të kapur gabim dhe të hedhin fjalën nga e majta, ndërkohë që therja e fjalës të vjen nga e djathta.
Sot kur flet për turizëm askush nuk çuditet më. Pati një marrje mësysh me atë tunelin e Murrizit, por nga marrja mësysh, rruga do të dalë shumë e fortë, sepse ai tunel po shkon drejt përfundimit.
I ka dhënë gjithë zonës mundësinë që të përjetojë të qenit një jastëk i gjelbër i metropolit. Me përfundimin e tunelit, Dibra nuk është asgjë më shumë dhe asgjë më pak se periferia e gjelbër e kryeqytetit të Shqipërisë.