Stuhia me reshje të dendura shiu, që përfshiu vendin tonë të premten e kaluar, ka shkaktuar probleme të ndryshme në qarkun Dibër. Në një analizë të situatës, prefekti Nexhbedin Shehu tha se probleme ka patur në të katër bashkitë e Qarkut Dibër.
Sipas tij, densiteti i lartë i shiut ka dëmtuar rrugët rurale në Bashkitë Mat, Klos, Bulqizë e Dibër.
Po ashtu, sipas Shehut, një çati shkolle në Bulqizë është dëmtuar nga era e fortë. Prefekti Shehu konfirmoi nga ana tjetër se autoritetet lokale po merren me riparimin e dëmeve që u shkaktuan nga stuhia e fortë e së premtes, e cila përfshiu gjithë vendin tonë.
Gjatë mbrëmjes së të enjtes dhe të premten gjithë ditës, pati reshje të dendura shiu, shoqëruar me erë të fortë. Për pasojë pati bllokim të rrugëve dhe rrezikim të banesa nga rrjedhja e përrenjëve e lumenjve.
#btvnews.al