Pasi avokatja mbrojtëse Klodiana Gjyzari i ka komunikuar vendimin e gjykatës për ta liruar nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”, kryedemokrati Sali Berisha ka lënë ambientet e banesës së tij.
Berisha i është drejtuar selisë blu nga ku do të mbajë një konferencë për mediat. Para selisë së Partisë Demokratike, Berisha është pritur nga mbështetës të shumtë.
Sali Berisha: U krye dhe kjo punë, piramida më e madhe e mashtrimit mori sot goditjen më fatale. Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe. Sot Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të demokracisë. Sot është dita kur monstrat e demokracisë, Rama dhe Soros dështuan në tentativë të tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare në grushtin e shtetit që i bënë asaj.
Sot, sakrifica, mundi i 3 viteve triumfoi dhe u shpërblye. Ne qëndruam dhe vetëm qëndruam për të vërtetën dhe vlerat që besojmë pas një kohe të gjatë që Shqipëria nuk sheh një ditë të mirë. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët, sot është një ditë e mirë për opozitarët, një ditë shprese. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës sepse sot nuk fitoi Sali Berisha, sot ka fituar e vërteta, sot ka fituar Shqipëria, ligji dhe kushtetuta.
360 fjalime, kam thyer rekordin e fjalimeve këtë vit. Tani e tutje, veprimi do të jetë kryefjala jonë e përbashkët. Por ka ende disa mesazhe që duhet të ju them shqiptarëve. Dua të falenderoj cdo shqiptar dhe familjen time që mori një dozë të madhe tyë kësaj sakrifice. Falenderoj të gjithë që me qëndresën e tyre dhe me fjalimet e tyre shndërruan rrugicën e shtëpisë time në bulevardin e shpresës. Falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, të gjithë demokratët që me mosbindjen e tyre bënë Shqipërinë me opozitën më të fuqishme që ka pasur.