Asflatimi i rrugës së lagjes “Ruse – Jelle” në fshatin Homesh të Njësisë Administrative Shupenzë, në Bashkinë e Bulqizës, ka ngjallur reagimin e banorëve.
Këta të fundit thonë se zbatimi i këtij projekti nuk po bëhet sipas standardeve pasi rruga është e ngushtë dhe përbën vështirësi për ndërrimin e dy automjeteve.
Nuri Dema, banor i fshatit Homesh, shprehet se nëse do të zbatohet projekti siç ka nisur, rruga do të ketë pasoja të rënda për të gjithë drejtuesit e mjeteve pasi jo vetëm që nuk ndërrohen dy automjete paralelisht, por nuk janë lënë as hapsira të tjera për tu ndërruar, siç bëhet zakonisht në rrugët e fshatrave.
Dema u kërkon autoriteteve të reflektojnë dhe të mos e ndërtojnë rrugën pa standarde.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i firmës zbatuese të projektit, Imer Murati tha se deri në 600 metra nuk ka patur probleme, ndërsa më pas kanë dalë probleme. Murati shton se është Bashkia ajo që po negocion me banorët, dhe se zbatimi i projektit do të bëhet sipas standardeve të nevojshme.
#btvnews.al