11 ditë pas ngjarjes së rëndë te shkolla “Fan Noli” ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, ka dalë nga spitali shoku i viktimës, Luis Meçja, i cili u plagos në përballje me autorin.
Ngjarja:
Më 28 tetor, një sherr mes adoleshentësh përfundoi me humbjen e jetës për 14-vjeçarin Martin Cani dhe plagosjen e shokut të tij Luis Meçja.
Ky i fundit u godit katër herë me thikë dhe mori trajtim për 11 ditë në Spitalin e Traumës.
Mbi ngjarjen është arrestuar dhe vendosur nën masën e sigurisë “Arrest me burg” autori Mario Përlleshaj.
Pavarësisht deklarimeve të shumta nga i plagosuri për një autor të dytë në ngjarje, policia ka hehdur poshtë pretendimet, duke këmbëngulur se autor ka qenë vetëm një.
Pak ditë më parë 14-vjeçari Meçja kishte hapur edhe një Gofund me, ku kërkonte ndihmë financiare për trajtimin mjekësor.
“Përshëndetje, unë jam Luis Mecja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj që të shërohem. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri. Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju mund ta shihni historinë time në Facebook, Instagram, lajme, çfarë më bënë dy personat me thika, një masakër. Ju lutemi na ndihmoni”, shkruhet në faqen GoFundMe.