Reshjet e shiut të nisura që mbrëmjen e së enjtes kanë shtuar prurjet në Zallin e Murrizes, përgjatë së cilit kalon një pjesë e rrugës së Arbrit.
Si pasojë e shtimit të ujit, ka nisur të dëmtohet traseja e rrugës e cila është shembur deri pranë asfaltit.
Shkak për këtë, sipas specialistëve, është mosndërtimi i argjinaturave mbrojtëse nga ana e ndërtuesit të rrugës, pasi në ditët me shi, prurjet në këtë zall shtohen ndjeshëm.
Një tjetër arsye e dëmtimit të rrugës së Arbrit në këtë segment, sipas specialistëve, është edhe terreni në të cilin është ndërtuar, pasi është vendosur në bazament me formacion të butë. Kjo e bën atë më pak rezistente nga vërshimi i ujit të shiut që nis që nga Qafa e Murrizit.
Siç duket nga pamjet, traseja e rrugës së Arbrit vijon të shembet vazhdimisht, ndihmuar edhe nga reshjet e pandërprera të shiut.
Në të gjithë segmentin e Xibrit të rrugës së Arbrit,nga tuneli i Murrizit e deri tek tunelet në fshatin Shkallë, nuk është ndërtuar argjinaturë mbrojtëse nga vërshimi i ujërave të zallit të Murrizes, ç’ka vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e saj në vijimësi.
#btvnews.al