Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar kontrolle në banesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Mësohet se agjentët e BKH shkuan në orët e para të mëngjesit në banesën ku jeton kryebashkiaku.
Kujtojmë që kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po hetohet nga SPAK për aferën e inceneratorëve, dosjen 5D, por edhe në hetim pasuror së bashku me familjen.
Në muajin maj ndaj Veliajt ka filluar procedimi penal dhe se SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna Shqiponjë Veliaj.
Më 30 prill, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u paraqit në Prokurorisë së Posaçme, ku për rreth 8 orë dëshmoi për aferën e inceneratorëve. Veliaj theksoi për mediat se ishte në SPAK si bashkëpunëtor dhe se gjatë marrjes në pyetje ishte ezauruar plotësisht çështja e inceneratorëve.
Ndërkohë që agjentët kanë shkuar në banesën e kryetarit të bashkisë, mësohet se ai nuk ndodhej aty, pasi është në një vizitë dy ditore në Hamburg të Gjermanisë.