Situata e motit në territorin e vendit mbetet e paqëndrueshme deri ditën e mërkurë. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se parashikohet përmirësim i motit të enjten dhe të premten. Pritet që reshjet të rinisin sërish këtë fundjavë.
Lajda Porja: Deri të mërkurën, mbetet situata e paqëndrueshme. Mesdita dhe pasditja do të sjellë ndërprerje të reshjeve në zonat qëndrore, përfshirë këtu kryeqytetin, por mbetet veriu dhe jugu me reshje, ku herë pas here do të jenë edhe rrebeshe. Ditën e martë, reshjet do të jenë prezente në orë të ndryshme. Parashikohet përmirësim i situatës së reshjeve ditën e enjte dhe të premte, ku do të ketë vranësira të dendura dhe reshje të izoluara vetëm në zonat malore.
Reshje dëbore do të ketë deri ditën e mërkurë në zona të thella malore, intensiteti i tyre nuk do të jetë shumë i lartë. Minimalja sot shënon minus 2 gradë në Peshkopi. Maksimalja do të jetë jo më shumë se 14 gradë. Parashikohet që dita e martë dhe e mërkurë të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave duke shkuar në vlerën 16 gradë.
Të enjten dhe të premten që presim përmirësim të situatës së reshjeve, do të kemi depërtim të një mase më të fortë, duke sjellë rënie të temperaturave me 2 deri në 3 gradë. Kjo do të bëjë dita e premte do të jetë më ftohtë në zonat malore. Do të jetë një javë e paqëndrueshme, kryesisht e lagësht. Të enjten dhe të premten, në kryeqytet do të ndihet i ftohti akoma më shumë. Ndërprerja e reshjeve është e përkohshme pasi na pret një tjetër fundjavë që do të jetë me reshje.
Porja thotë se ky Dhjetor do të jetë i paqëndrueshëm, i konsideruar si dimër krejtësisht normal.
Lajda Porja: Dhjetori është futur një Dhjetor klasik, të paktën deri nga data 20 ka sinjale që është i paqëndrueshëm. Ka raste që do të ketë 1 apo 2 ditë me diell, shoqëruar më pas me 2 ditë me shi. I gjithë Dhjetori do të jetë me tiparet e tij klasike, që do të thotë, një dimër normal. Në krahasim me vitin e shkuar, ky Dhjetor ka nisur me vlera normale. Do të luhatet pothuajse gjithë Dhjetori me këto vlera. Do të kemi episiode të shkurtra 2 apo 3 ditore, ku do të kemi temperatura akoma më të ulëta. Dhjetori do të jetë një dimër krejtësisht normal.