Një automjet ka dalë nga rruga në fshatin Melan të Bashkisë Dibër, ku për pasojë tre persona kanë përfunduar në spitalin e Peshkopisë.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit automobilistik ndërsa dyshohet të jetë nga prania e baltës në rrugë. Për shkak se aksi është në rikonstruksion të plotë dhe po kryhen punime, ka prani të baltës në asfalt, që ndihmuar dhe nga reshjet e shiut, kanë bërë që makina të rrëshqasë e të dalë nga rruga.
Po ashtu në këtë segment rrugor mungojnë barrierat metalike anësore që do të pengonin daljen e fuoristradës nga rruga.
Policia ishte në vendin e ngjarjes dhe po heton shkaqet e vërteta të aksidentit. Tre të plagosurit, drejtuesi i mjetit tip fuoristradë dhe dy pasagjere që kanë qenë në të, kanë marrë mjekimin e nevojshëm në spitalin rajonal të Dibrës dhe mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.