Rreshjet e shumta të dëborës të së hënës kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në rrugën e Arbrit. Qindra automjete kanë mbetur të bllokuara në bypassin e Murrizit si pasojë e pranisë së madhe të dëborës.
Edhe pse që me nisjen e reshjeve në rrugë pati borëpastruese, këto të fundit nuk kanë arritur ta mbajnë të qarkullueshëm aksin. Për pasojë qindra automjete e qindra qytetar kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra.
Ndërkohë, mësohet se mes të bllokuarve ka qenë edhe një kortezh mortor i nisur nga Tirana në drejtim të Klosit.
Policia rrugore u detyrua të bllokojë qarkullimin e automjeteve tek rreth-rrotullimi në fshatin Fshat, duke i kthyer automjetet që të përdornin aksin e vjetër nacional Klos – Burrel – Milot.
Situata në bypassin e Murrizit mbetet problematike pasi shumë automjete kanë dalë nga rruga, duke krijuar radhë të gjata në trafik. Mes të bllokuarve në rrugën e Arbrit kishte edhe fëmijë të cilët qëndruan në automjete prej disa orësh.
Policia Rrugore do të vijojë të mbajë të mbyllur qarkullimin në këtë aks rrugor deri në hapjen e plotë të tij. /btvnews.al