Ndryshe nga shumë dogana të tjera të vendit tonë, në doganën e Bllatës në Dibër, në kufi me Maqedoninë e Veriut, fluksi është jo në hyrje të saj, por në dalje.
Ditët e fundit ka patur një radhë të shtuar të automjeteve që kalojnë në shtetin fqinj, jo për të kaluar pushimet e fundvitit atje, por për t’u furnizuar me ushqime, karburant etj. Duke qenë se kjo doganë funskionon vetëm me një sportel, janë krijuar radhë kilometrike në të dy anët.
Shumë qytetarë të Dibrës, Bulqizës por edhe Matit kanë zgjedhur që blerjet e fundvitit t’i bëjnë në Dibër të Madhe dhe kjo për arsyen e vetme, pasi janë me çmim më të lirë se në vendin tonë.
Drejtuesit e mjeteve thonë se çdo ditë paraqitet e njëjta situatë në këtë doganë dhe se të gjitha të ardhurat i shpenzojnë në shtetin fqinj ku një litër naftë atje kushton 110 lekë të rinj.
Vetë qytetarët shprehen se për shkak të çmimeve të larta në vendin tonë, të ardhurat e grumbulluara për t’i shpenzuar këtë fundviti po i shpenzojnë në Maqedoninë e Veriut.
Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve kërkojnë që kjo doganë të bëhet të paktën me dy sportele në mënyrë që radhë të tilla të mos krijohen më.