Një sasi lënde e dyshuar eksplozive është konstatuar të hënën e 6 janarit në një automjet në rrugën “Ahmet Xhetani” në lagjen “Pjetër Budi” të qytetit të Burrelit. Lënda e dyshuar plasëse ishte vendosur në pjesën e poshtme të mjetit tip fuoristradë në pronësi të shtetasit E.P, ndërsa është konstatuar nga përdoruesi i tij ende pa shpërthyer.
Sipas policisë mësohet se i riu që kishte në përdorim makinën ka tentuar ta ndezë, por automjeti nuk ka ndezur. Në këtë moment ai ka zbritur dhe rastësisht ka konstatuar lëndën plasëse në automjetin e tij dhe ka njoftuar policinë. Këta të fundit kanë kërkuar ndihmën e forcave antieksploziv, që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të larguar lëndën plasëse. Për rreth 3 orë zona ka qenë e rrethuar nga policia deri sa është bërë shpërthimi i kontrolluar i lëndës shpërthyese nga specialistët antieksploziv.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe po mbledh të dhëna e dëshmi. Burime nga policia bëjnë me dije se lënda plasëse ka qenë e vendosur 2 ditë më parë në automjet, ku dyshohet se kanë qenë dy persona që kanë lëvizur në këmbë pranë mjetit. Për t’ju shmangur objektivit të kamerave të bizneseve dhe ato të qytetit, dy autorët e dyshuar kanë ardhur nga ana e poshtme e lagjes “Pjetër Budi”, një zonë pa kamera sigurie deri tek ura e Matit. Megjithatë, çështja pritet të zbardhet e plotë nga grupi hetimor, i cili ka nisur hetimet dhe ka marrë ne pyetje disa persona për konflikte të mundshme.