Me ardhjen e emigrantëve në Dibër, Pediatria e Spitalit Rajonal, Dibër, po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve të fëmijëve që kërkojnë trajtim mjekësor. Mjeku pediatër Filip Cfarku raporton se numri i rasteve është shtuar dukshëm ditët e fundit, kryesisht për shkak të virozave që prekin fëmijët. Simptomat më të zakonshme përfshijnë probleme gastrointestinale, temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe dhimbje barku.
Sipas mjekut Cfarku, rreth 40-50 fëmijë trajtohen çdo ditë në mënyrë ambulatore, ndërsa 15-20 prej tyre kërkojnë shtrim për kujdes spitalor. Fatmirësisht, sipas mjekut, furnizimi me medikamente nuk ka qenë problematik, dhe pjesa më e madhe e rasteve është menaxhuar me sukses.
Mjeku Cfarku apelon nga ana tjetër që prindërit të shmangin përdorimin e pakontrolluar të medikamenteve dhe antibiotikëve, veçanërisht për simptomat e lehta. Ai thekson rëndësinë e hidratimit me lëngje të freskëta dhe natyrale për të ndihmuar shëndetin e fëmijëve gjatë kësaj periudhe.
Mjekët e Spitalit Rajonal, Dibër, vijojnë të jenë të angazhuar në trajtimin e fëmijëve, duke u bërë thirrje prindërve të ndjekin këshillat mjekësore për të shmangur ndërlikimet e virozave.