Një koment në rrjetet sociale se Shqipëria e prodhon vetë energjinë elektrike ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Edi Rama. Ai e quan këtë një legjende mediatike, pasi vendi është ende i varur nga prurjet ujore dhe një pjesë importohet nga jashtë.
“Kjo është një legjendë mediatike pa asnjë lidhje me realitetin. Shqipëria prodhon 70% të nevojave të veta në një vit të mirë hidrik dhe vetëm 65 % në një vit të thatë”, u shpreh Rama.
Rama thotë se synimi është që brenda dekadës e gjithë energjia e kërkuar të prodhohet në vend.
“Do e prodhojmë vetë energjinë për të gjitha nevojat tona, brenda vitit 2030. Kur do kemi fituar sovranitetin energjitik me realizimin e investimeve me prodhimin nga dielli por edhe nga era që po vazhdojnë me dy nivelet e pompimit të ujit në Kaskadën e Drinit, ku po punojmë me partnerët tanë norvegjeze”, tha ndër të tjera Rama.
Uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët e quan historike edhe për shkak të investimeve në këtë sektor.
“Ulja me 10.5 % të çmimit të energjisë është historike, për faktin se është e para ulje në 35 vjet dhe e vetmja ulje në këtë pjesë të botës pas krizës së luftës në Ukrainë. Është fryt i një arritje historike në transformimin rrënjësor të sektorit dekadën e fundit. Sot 10% të prodhimi të energjie e kemi nga dielli dhe brenda 2030 do arrijë në 30%”, thekson Rama.
Rama tha se Shqipëria është e para në rajon për prodhimin e energjisë diellore me 196 megavatë të instaluar duke lënë pas Serbinë, Kosovën, Malin e Zi dhe vendet e tjera.