E hënë, 13 Janar, 2025

Reshjet e borës paralizojnë Qarkun Dibër, bllokohen rrugët nacionale

Reshjet e borës kanë krijuar probleme të shumta në qarkullimin e automjeteve në të gjithë Qarkun Dibër.

Rruga e Arbrit është bllokuar që prej orëve të para të ditës së dielë, ndërsa probleme ka edhe në rrugët e tjera.

Aktualisht qarkullimi i automjeteve që lëvizin drejt Tiranës është zhvendosur në rrugën Bulqizë – Burrel – Milot për shkak se reshjet janë intensive dhe kalimi në rrugën e Arbrit është i pamundur.

Ndërkohë akset rrugore Peshkopi – Kukës dhe Ura e Çerenecit – Librazhd janë të pakalueshëm për shkak se trashësia e borës arrin deri në 40 cm.

Edhe pse firmat kontraktore janë lajmëruar për reshjet e dëborës së kësaj të diele të paktën prej dy ditësh, ajo që vihet re është mungesa mjeteve borëpastruese në rrugët nacionale.

Reshjet e borës vijojnë ende ndërsa në zonat e thella malore trashësia shkon deri në 60 centimetra si në Lurë, Kala e Dodës, Tërnovë të Bulqizës etj.

Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë në rrugë pa goma dimërore dhe zinxhirë

Artikuj te ngjashem

Me te fundit