Banorët e Martaneshit të izoluar nga bora: Askush s’ka marrë masa për situatën!
Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, këtë herë nga një banor i Krastës në Njësinë Administrative Martanesh.
Sipas tij, fshatrat përreth janë të izoluar për shkak të dëborës së madhe, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët në jetën e përditshme.
Ai shprehet se banorët janë të detyruar të ecin me orë të tëra në këmbë për të siguruar furnizime ushqimore.
Situata bëhet edhe më shqetësuese, pasi rrugët që çojnë drejt minierave, vendi ku shumë prej tyre punojnë, janë të bllokuara prej ditësh.
Në mesazhin e tij, qytetari denoncon mungesën e reagimit nga institucionet lokale dhe kërkon që situata të trajtohet me urgjencë.
Mesazhi i plotë i banorit:
Mirëmbrëma JOQ, po të shkruaj nga qyteti Krast, Bashkia Bulqizë. Fshatrat përreth janë të izoluar nga dëbora dhe banorët janë të detyruar që të bëjnë rrugë me orë të tëra në këmbë për furnizime ushqimore. Rrugët për të shkuar në punë te minierat janë të bllokuara totalisht prej dëborës, ditë me radhë. Askush nuk ka marrë masa për këtë gjendje.”