Dekadat e fundit kanë sjellë ndryshime klimatike duke bërë që stinët të mos jenë më si më parë.
Për të moshuarit, dimrat e viteve të fundit nuk kanë qenë si ato të para viteve 90-të por edhe deri në vitet 2000. Kjo pasi reshjet e dëborës kanë qenë më të pakta dhe në rastet kur ka rënë dëborë nuk ka qëndruar shumë. Kjo ka bërë që edhe banorët të mos marrin masa siç merrnin dikur, ku siguronin bazë ushqimore për vete dhe bagëtinë, duke e ditur se do të kishte dimër të vështirë dhe të gjatë.
67-vjeçari Sali Sula, nga fshati Pjeçë i Dibrës, thotë se situata tani është shumë më ndryshe nga sa ishte para viteve ‘90-të, ku kishte raste që për 3 muaj me radhë nuk mund të dilje jashtë nga dëbora e madhe, ndërsa sot prani e borës zgjat shumë pak.
Duke qenë se banorët e fshatrave tashmë nuk marrin masa për rezerva dimërore, sa herë bllokohen rrugët, kërkojnë që ato të hapen me urgjencë nga pushteti lokal.