E mërkurë, 22 Janar, 2025

Nderim për Rugovën/ Homazhe në 19-vjetorin e vdekjes se ish-presidentit legjendar

Ky 21 janar shënon 19 vite nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe ambasadorët e akredituar, kanë bërë homazhe ne varrin e tij. Osmani e çmoi kontributin e ish-presidentit Rugova duke theksuar se ai ka luajtur rol të rëndësishëm në shtet-ndërtimin dhe se kontributi i tij do të jetë udhërrëfyes edhe në të ardhmen.

Edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku së bashku me anëtarë të kësaj partie ka bërë homazhe pranë varrit te ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Abdixhiku tha se Ibrahim Rugova është shqiptari më i madh i të gjitha kohërave.

Atit themeltar të Republikës së Kosovës njeriu që më urtësi, kokëfortësi me mburrje e priu popullin e Kosovës në një periudhë të vështirë krijoi aleanca ndërkombëtare dhe arriti që çështjen e Kosovës dhe kauzën e popullit të Kosovës ta bëjë çështje ndërkombëtare drejt lirisë, demokracisë, pavarësisë. Në këtë 19 vjetor kujtojmë që rrugëtimi për liri dhe pavarësi e demokraci të një Kosove të pavarur dhe sovrane të anëtarësuar në NATO, BE e miqësi të përhershme me SHBA është domosdoshmëri e kohës e Kosovës. Ibrahim Rugova është shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, ai priu me dinjiteti, arriti të krijoj shtetin e Kosovës, arriti të krijoj një ëndërr pas të cilës rreshtohemi të gjithë pa asnjë dallim”, ka thënë kryetari i LDK Lumir Abdixhiku.

Rugova u zgjodh më 1988 kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Menjëherë pas këtij angazhimi, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë , shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj, referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, ishin parapërgatitjet për zgjedhjet e para shumë-partiake për Kuvendin e Kosovës, më 24 maj 1992.

Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës, për ta rimarrë këtë poste përsëri ne 2002 deri kur humbi jetën në 2006, duke lënë pas një gjurme të fortë në historinë e krijimit te shtetit te Kosovës.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit