Një pjesë e aksit të rrugës së Arbrit që kalon përmes fshatit Gjoricë në Bulqizë është kthyer në problem prej disa muajsh.
Shkak për këtë mësohet se është bërë prania e baltës në asfalt ku në ditët me reshje apo ngrica, bëhet burim aksidenti. Jashtë kameras, banorët thanë se kjo baltë vjen nga automjetet që mbushen me inerte në Zallin e Bulqizës. Këta të fundit e rrjedhin baltën mbi asfalt.
Për banorët e zonës së Gjoricës ky është një problem shumë i madh pasi rrezikojnë jetën teksa kalojnë në këtë rrugë, sepse rrëshkasin makinat e vogla.
Një tjetër shetësim i këtyre banorëve mbetet edhe shfrytëzimi për inerte pa kriter i Zallit të Bulqizës të cilat merren aty nga firma që po ndërton lotin e fundit të rrugës së Arbrit, Erebarë–Peshkopi.
Banorët e zonës së Gjoricës kanë kërkuar vazhdimisht që të ndalohet marrja e inerteve në Zallin e Bulqizës pasi po ju dëmton tokat bujqësore dhe veprat vaditëse. Ndërkohë, përfaqësues të Bashkisë Bulqizë thanë se leja nuk është dhënë prej tyre por nga ministria e linjës ndaj dhe nuk mund të bëjnë asgjë për ndalimin e shfrytëzimit të shtratit të Zallit të Bulqizës.