E enjte, 23 Janar, 2025

Çmimi i energjisë elektrike në vend/ Rama: Si askund tjetër rrotull nesh, në Greqi 3-fish më shtrenjtë

“Mos se e ulët shumë korentin, ç’bëni kështu? Talleni me njerëzit. E hanë sapunin për djathë”, ka qenë kjo një ndër pyetjet që Kryeministri Rama ka zgjedhur që të ju përgjigjet në rubrikën “Sy m’Sy” në “Facebook”.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka thënë se çmimi i energjisë elektrike është ulur si askund tjetër rrotull nesh.

“Ulet çmimi i energjisë si askund tjetër rrotull nesh falë investimeve të bëra masivisht këto vite, rezultateve të arritura, por natyrisht dhe falë qasjes tonë lidhur me zotimin për t’i bërë njerëzit pjesë të suksesit të reformave dhe prapë se prapë, fjala e keqe fluturon pa të keq deri në përqeshjen e popullit që e haka sapunin për djathë”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri bën dhe një krahasim me disa nga vendet e rajonit dhe ata në Evropë përsa i përket çmimit të energjisë.

“Unë jam i bindur se Krenari jo vetëm se nuk e di se sa më e shtrenjtë është energjia elektrike atje ku jeton ai, në Greqi, por nga mënyra si flet, duket se bën pjesë tek ata që thonë “Shqipëria është vendi më i shtrenjtë i Europës”. Krenar, shikoji pak çmimet për kw/orë në Greqi dhe në Europë për konsumatorët familjarë. Shqipëria bie në 8.5 Lekë, Greqia është thuajse 3-fish, 22 për kw/orë, Italia 33 për kw/orë, Gjermania 40 për kw/orë dhe më e ulëta nga të tëra është Hungaria që prapë është 20% më lart se ne”, shprehet Rama.

Referuar kufirit për çmimin e energjisë për ata konsumatorë që shpenzojnë më shumë se 700 kw/orë, Rama thotë se kush harxhon më shumë, do të paguajë më shumë.

“Në kategorinë deri në 700 kw/orë hyjnë mbi 1 milion konsumatorë familjarë, ndërsa mbi këtë kufi, janë më pak se 100 mijë konsumatorë, të cilët kanë shtëpi më të mëdha, kanë edhe të ardhura më të mëdha, edhe shpenzime më të mëdha të energjisë dhe prandaj do të paguajnë dhe më shumë se të tjerët. Vija jonë nuk lëviz, kush fiton më pak, paguan më pak, kush fiton më shumë, patjetër që do të fitojë më shumë”, deklaron Rama.

Në datë 8 Janar, ERE mori vendim që të gjithë konsumatorët familjarë që harxhojnë deri në 700 kilovat/orë energji në muaj, nga 1 Shkurti do të paguajnë 8.5 Lekë për kilovat/orë, që do të thotë 1 Lekë më pak sesa aktualisht. Ndërsa ata abonentë që kalojnë mbi 700 kilovat/orë në muaj, do ta paguajnë 9.5 Lekë kilovat/orin për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit