Rritja e temperaturave, e cila ka sjellë shkrirjen e borës në Bulqizë, ka bërë që në segmentin e rrugës së Arbrit pranë Qafës së Buallit të ketë rënie gurësh.
Masive gurësh kanë rënë gjatë gjithë ditës së sotme në këtë aks rrugor ku janë bërë rrezik për aksidente. Siç duket nga pamjet, rëniet e gurëve kanë qenë të vazhdueshme duke i gjetur drejtuesit e mjeteve në befasi.
Që prej ndërtimit të këtij aksi, rënia e gurëve ka qenë një problem i vazhdueshëm në këtë segment rrugor. Për shkak se nuk janë bërë tarraca apo nuk është vendosur rrjetë mbrojtëse, të gjithë gurët biejnë mbi asfalt në çdo stinë të vitit.
Edhe pse kanalet që mbushen me gurë pastrohen periodikisht nga firma mirëmbajtëse, situata rikthehet e njëjtë brenda pak ditësh.
Specialistët e rrugëve thonë se duhet patjetër një investim që të parandalojë rënien e gurëve në rrugë pasi e bën qarkullimin e automjeteve të pasigurtë në këtë zonë.
Një investim i qëndrueshëm sipas specialistëve do të ishte veshja me rrjetë por edhe mbjellja e bimësisë në mënyrë që në të dy anët e rrugës të ndalojë rënia e gurëve.