Pas Jang Bojsit, Arsenalit dhe Lajpcigut, kundër Spartës së Pragës Interi arriti fitoren e katërt nga 5 të mundshme me rezultatin 1-0 dhe me sforco minimale.
Një pikë me Monakon do të mjaftonte për kualifikimin direkt në mënyrë që të shmangë rivalët si PSG, Real, Bajern dhe Siti. Por edhe në optikën e kampionatit do të shmangte 2 ndeshje në një kalendar kaq shumë të ngjeshur. Interi ka ndryshuar stil në Europë duke pasur një mbrojtje të hekurt dhe një sulm minimalist. Duket pak a shumë sikur Inzagi është maskuar si Alegri.
LAUTARO- Përtej rezultatit, Inzagi mund të festojë rikthimin në nivele të larta për Lutaro Martinezin, që ka shënuar 5 gola në 7 ndeshjet e fundit dhe e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2025. Ai e ka lënë pas fundin e 2024, ku nuk po e gjende dot rrugën e rrjetës. Kapiteni nuk shënonte në Europë që nga 1 tetori, në fitoren 4-0 kundër Cervena Zvezdës. Lautaro është shndërruar në një lider për formacionin zikaltër. Shumë i rëndësishëm është fakti që do të rikthehet Çalhanoglu, pa i hequr asgjë Kristjan Asllanit. Me turkun është një tjetër Inter, edhe pse shqiptari ka bërë shumë mirë në këtë ndeshje. Sinjalet pozitive kanë ardhur gjithashtu nga Fratezi, i cili mes merkatos dhe “ngricës” me Inzagin duket se po dilte jashtë projektit. Por ish-lojtari i Sasuolos më në fund u fut në fushë me vendosmëri dhe bëri disa nga galopimet e tij.
SULMI- Mirëpo nuk mund të mos e vësh re diferencën e rendimentit sulmues në Europë dhe në Itali. Në Champions, zikaltrit kanë shënuar 7 gola, pak më shumë se 1 për ndeshje. Është shndërruar në një skuadër që mjaftohet me pak ashtu si dikur Juventusi i Alegrit. Ndërkohë që ka pësuar vetëm një gol, atë në minutën e fundit kundër Leverkusenit. Ndërkohë që në kampionat zikaltrit kanë shënuar 51 gola në 20 ndeshje për një mesatare 2.55 për ndeshje. Një diferencë që në fakt nuk ndryshon përfundimin: Interi vazhdon të fitojë dhe të fluturojë. Sigurisht që ndeshjet e shumta kanë ndikuar në strategji, por nga turi i ardhshëm duhet që zikaltrit të dominojnë rivalin dhe të mos lëshojnë terren siç kanë bërë deri tani. Kjo mund të jetë e rrezikshme