E hënë, 27 Janar, 2025

Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi Anastas Janullatos

U shua paqësisht në orët e para të së shtunës kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, hirësia e tij Anastas.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, njoftoi këtë mëngjes me dhimbje të thellë, fjetjen më Zotin të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas.

Kryepeshkopi ndërroi jetë më 25 Janar 2025, në orën 8:30 të mëngjesit me orën lokale greke, në moshën 95 vjecare në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, hirësia e tij ishte kuruar për disa ditë në një spital në Tiranë. Shëndeti i kryepeshkopit u përkeqësua dje, pas qëndrimit disa ditor në intubim që pasoi një ndërhyrje kirurgjikale.

Kisha fton besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist.

Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet.

“I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij!”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit