Fermerët në bashkinë Klos vijojnë të ankohen për cilësinë e keqe të pesticideve që përdorin kryesisht në frutikulturë por edhe për tregun e shitjes.
Ali Doda nga fshati Kloskatund i Bashkisë së Klosit thonë se lagjja e tij nuk është braktisur e gjitha pasi në çdo banesë jetojnë familjarë.
Ai shprehet se fshati ka resurse si ujë vaditës dhe ujë të pijshëm, si dhe ndodhet ngjitur me rrugën nacionale, por kjo nuk i ka penguar të rinjtë që të largohen.
Banorët e mbetur merren me bujqësi, por që vitet e fundit nuk kanë marrë rendimentin që prisnin. Shkak për këtë mësohet se është bërë cilësia e dobët e pesticideve.
Aliu dëshmon edhe një fakt interesant se kur pesticidet i ka marrë në Dibër të Madhe të Maqedonisë së Veriut ka patur prodhim të bollshëm të rrushit, por prapë malli i ka mbetur pa shitur.
I gjendur në këto kushte, akoma 1.2 ton raki i ka ende pa shitur.
Problemet e fermerëve janë të njëjta thuajse në të gjithë vendin, ndërsa kërkojnë mbështetjen e institucioneve shtetërore për t’i zgjidhur.